AlbanianSport.com 15/02/2021 23:55
ASNN – Atletja etiopiane, Gudaf Tsegaj, ka thyer rekordin në garën e 1,500 metrave në salla të mbyllura, ndërsa ka dhënë kohën më të mirë edhe në 800 metra. 24-vjeçarja vendosi kohën e re në 1,500 m, 3 minuta, 53 sekonda e 9 të dhjetat në mitingun e zhvilluar në Lievin, duke konfirmuar formën e saj të mrekullueshme edhe në 800 m me 1 minutë, 54 sekonda e 52 të qindtat.
“Ka qenë një javë shumë e mirë”, – tha Tsegaj, që fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Atletikës në 2019. “Qëllimi im mbeten Lojërat Olimpike në Tokio”, – shtoi ajo. Ndërkaq, atleti amerikan, Grent Hollouej arriti një fitore mbresëlënëse në 60 metra me pengesa, me kohën 7 sekonda e 41 të qindtat, vetëm 11 të qindtat e sekondës larg rekordit botëror të Kolin Xheksonit.
“Unë nuk po kërkoj ende të thyej rekorde”, – tha kampioni botëror në 110 metra me pengesa. Ndërsa atleti francez, Renod Lavileni kaloi një ditë të mjerueshme në kërcimin me shkop, duke dështuar 3 herë në përpjekje për të kaluar lartësinë 5.62 metra. Ndërkohë, në Mitingun e mbajtur në fundjavë në Francë, një garë e bukur dhe tepër konkurruese u zhvillua edhe në kërcimin 3-hapësh.