Gjergj Vyshka 13.10.2015 08:50
Federata Shqiptare e Atletikës, ashtu sikurse edhe vite më parë, është e para që ngre siparin e analizave vjetore. Në prani të shefit të sportit elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi, atletika jo vetëm që ka analizuar atë që është bërë gjatë 2015-tës, por ka miratuar edhe atë që do të bëjë gjatë 2016-tës. “Ne e kemi të detyrueshme, -thotë Presidenti i Atletikës Shqiptare, Gjergji Ruli, – që të bëjmë miratimin e kalendarit vjetor për vitin e ardhshëm.”
“Sepse më 16 nëntor ne do ta paraqesim atë në konventën ndërkombëtare të Evropës në Lozanë, – vijon ai. – Madje do të japim në këtë konventë edhe një mbështetje për Federatën e Atletikës së Kosovës, e cila duhet të pranohet anëtare me të drejta të plota”. Sipas Rulit, pjesa më e rëndësishme e veprimtarive kombëtare janë lënë për t’u bërë në “Elbasan Arena”. “Thuajse ka përfunduar si pistë, mbetet të vijnë specialistët për të bërë vizimet dhe për t’i dhënë bojën e duhur”, – ka rrëfyer ai.
“Unë e kam falënderuar edhe gjatë asamblesë në emër të komunitetit Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për atë që është duke bërë. Sepse edhe rregullimi i “Loro Boriçit” do të thotë shtesë më shumë për atletikën. E kam falënderuar dhe me mesazh”, – ka përfunduar Ruli, ndërsa është miratuar dhe ekipi kombëtar, që do të marrë pjesë në Ballkaniadën e “Kros Kauntrit” në Kroaci. Kësisoj atletika është e parë Federatë, e cila bën analizën e saj vjetore.