AlbanianSport.com 26/04/2020 20:10
ASNN – Maratona e shtyrë e Londrës këtë vit mund të mbahet, por vetëm me atletë elitarë, ka thënë drejtori i garës së famshme, Hju Brasher. I cituar nga rrjeti prestigjioz britanik, Brasheri ka thënë se ky është njëri prej dhjetë alternativave të mundshme e që po ndryshojnë gjatë tërë kohës. Ai e ka lënë të hapur mundësinë për shtyrje të mëtejme të garës.
Maratona e Londrës supozohej të mbahej të dielën, por është shtyrë për më datë 4 tetor, për shkak të epidemisë së koronavirusit që ka shpërthyer në shkallë globale. Afërsisht 43 mijë vrapues morën pjesë vitin e kaluar, ndërsa vrapuesit e famshëm, Eliud Kipçoge dhe Kenenisa Bekele pritet të zhvillojnë garë të fortë këtë vit, ndonëse me më pak konkurrencë.
“Ne shpresojmë t’i mirëpresim ata sërish në tetor, por në këtë fazë ne nuk e dimë çka do të ndodhë, – ka thënë Brasheri. – Ne duhet të shikojmë për të gjithë të njerëzit që do të përfshihen në të, për qindra mijëra spektatorë, stafin mjekësor, vrapuesit. Ne po shqyrtojmë rreth 10 skenarë dhe ata po ndryshojnë vazhdimisht.” Ndërkohë, Maratona e Tokios u mbajt muajin e kaluar vetëm me pjesëmarrjen e atletëve elitarë.
Ata vrapuan në rrugë të zbrazëta të kryeqytetit japonez, por kjo ishte para shpeshtimit të rasteve të të infektuarve me “Covid-19”. Maratona e Berlinit, e cila, së bashku me atë të Londrës janë prej më të famshmeve, nuk do të mbahet më 27 shtator 2020, ashtu siç është planifikuar. Brasheri ka thënë se janë diskutuar disa ide radikale, por nuk ka dhënë më shumë hollësi të tjera.