Gjergj Vyshka 15.12.2016 12:05
Luiza Gega, nënkampionia e Evropës në 3,000 metra me pengesa, që nga e shtuna e 10 dhjetorit 2016 gjendet në Iten të Kenias, atje ku do të përgatitet për dy muaj. Në mungesë të trajnerit Taulant Stërmasi, i cili i bashkohet sportistet së tij të martën e ardhshme në Kenia, Gega është duke bërë stërvitje vetëm. “Deri më tani, – thotë Gega, – gjithçka ka shkuar mirë.”
“Jam në ditën e tretë të stërvitjes e duket gjithçka mirë në përgjithësi, – ka vijuar ajo. – Fillimi është pak i vështirë, sepse vjen nga Tirana dhe në një lartësi prej 2400 metrash ke gjithnjë vështirësi. Që do të thotë se ka shumë diferencë. Ditët e para janë më tepër ditë adaptimi apo përshtatje dhe stërvitja nuk është shumë e sforcuar, sepse trupi është duke bërë ndryshime.”
“Është hera e tretë që jam këtu, – ka theksuar atletja shtatshkurtër. – Këtë fillim jave vjen dhe trajneri dhe do të jem gati për të filluar stërvitjen e fortë. Jam duke bërë krose të gjata, vrapime me pushime të shkurtra. Por pa u sforcuar për arsyet që ju thashë.”. Ndërkohë Gega është në lidhje të vazhdueshme me trajnerin Taulant Stërmasi, ndërsa sqaron edhe rikthimin në pistë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm, sepse i tregoj në çdo moment si u ndjeva me programin që më jep, ku hasa vështirësi, si shkoi pulsi, a pata probleme me muskujt. Pra çdo detaj derisa të vijë ai, ndërsa më pas gjithçka do të jetë gati për stërvitjen e fortë”, – ka përfunduar atletja Luiza Gega, prej së cilës priten të tjera rezultate të larta për vitin 2017.