AlbanianSport.com 03.08.2015 13:30
ASNN – Luiza Gega ka konfirmuar edhe një herë se është në formë të jashtëzakonshme. Sportistja shqiptare më elitare e këtyre viteve të fundit fitoi medaljen e artë në garën e 1,500 metrave në Kampionatin Ballkanik të Atletikës, që po zhvillohet në Pitesht të Rumanisë.
Vetëm 24 orë pasi kishte rrëmbyer medaljen e argjendtë në 800 metra, Gega konfirmoi se në 1,500 metra është e pakonkurrueshme në Ballkan. Në pistën ku garonin 11 atlete nga vende të ndryshme si Rumania, Sllovenia, Turqia, Serbia, Maqedonia apo Moldavia, Gega, e ndali kronometrin në kohën 4 minuta, 8 sekonda dhe 78 të qindtat.
Ajo ka lënë kështu pas me pothuajse 8 sekonda turken Songul Konak, që zuri vendin e dytë. Kështu, Luiza Gega bën “bis” pas Lojërave të para Evropiane “Baku 2015”, ku fitoi po ashtu vendin e dytë në 800 metra dhe të parin në 1500 metra. Por ndryshe nga garimi në Baku, tanimë në Rumani, atletja shqiptare ka përmirësuar ndjeshëm me 3 sekonda kohën e saj.