Gjergj Vyshka 03.02.2016 10:25
Flet rekordmenia: “Jemi duke parë mundësinë e pjesëmarrjes në një miting në “Diamond Ligë” për sallat e mbyllura që të shohim veten në prag të Botërorit të Portlandit”. Luiza Gega, e vogla e “artë” e atletikës shqiptare, tashmë e ka bërë muajin që po përgatitet në Iten të Kenias, atje ku gjendet së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi.
E kualifikuar tashmë me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, Gega i ka të qarta objektivat e saj, ndërsa më parë kërkon ta afirmojë veten në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura më 17-20 mars në Portland, si dhe në Kampionatin Evropian të Amsterdamit në korrik. Për më tepër, Luiza Gega ka dhënë dhënë gjatë një seance fizioterapie këtë intervistë për “Sport Ekspres” nga Iteni i Kenias.
– Për të gjithë lexuesin e “Sport Ekspres”, si janë duke shkuar përgatitjet tuaja në Iten të Kenias?
– Stërvitja në përgjithësi po shkon mirë. Shpresojmë që, kjo së bashku edhe me trajnerin tim Taulant Stërmasi, që deri në fund të këtyre përgatitjeve të shkojë gjithçka mirë. Sepse mundi në stërvitje do të duket në fund të garave ndërkombëtare.
– Cila është gjendja momentale dhe sa të ka ndihmuar kjo përgatitje në Kenia?
– Është shpejt të kuptohet efekti i stërvitjes në Kenia, pasi do të vraposh në ultësirë, apo në lartësi më të vogla se këtu për të kuptuar rezultatin. Megjithatë krahasuar me stërvitjen që kemi bërë në këtë shtet më 2014-ën kam përmirësim shumë të ndjeshëm. Gjendja e mirë që kisha në Tiranë përpara se të nisesha në Kenia, apo dhe testet që kemi bërë, më bën të shpresoj se do të jem gati për aktivitetet e radhës.
– Ndonjë garë testuese, apo rezultat paraprak a mund të na jepni?
– Këtu nuk bëhen gara. Janë vetëm teste stërvitore, qoftë edhe me segmente, dhe jam duke kapur rezultatet që kam pasur në ultësirë. Për të parë veten jemi duke folur me trajnerin dhe menaxherin që të paktën të marrim pjesë në një miting të “Diamond Ligë” përpara vajtjes në Botërorin e Portlendit, kjo në sallat e mbyllura. Do të mundohemi të gjejmë një garë sa më afër, pasi udhëtimi i gjatë ndikon edhe në rezultat. Kuptohet sapo të vendosim së bashku me menaxherin dhe trajnerin do t’iu njoftojmë, sepse do të jetë një garë testuese përpara Botërorit.
– Cilat janë objektivat për vitin 2016, duke qenë se jeni edhe me normë kualifikimi për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”?
– E para është thyerja e rekordit kombëtar në 1500 metra në salla të mbyllura. Së dyti kërkoj të jem në pesë më të mirat e Botës po në sallat e mbyllura. Për verën i pari është thyerja e rekordit kombëtar në 1500 metra. Më pas hyrja në tre të parat e Evropës në Kampionatin Evropian, i cili do të zhvillohet në korrik 2016 në Amsterdam. Por objektivi im kryesor është hyrja në finalen e 1500 metrave në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. E më pas duhet shumë fat për të arritur atë që kërkojnë e që presin të gjithë prej meje, medaljen.
– Së fundi, periudhë e vështirë dhe e mërzitshme të qëndrosh gati 9 javë në Kenia larg familjes?
– Normal që periudha 66 ditore larg shtëpisë, familjes e shoqërisë, apo dhe mënyrës së jetesës së përditshme është më shumë se e vështirë. Pse jo një periudhë sakrifice. Gjatë gjithë kohës këtë kam bërë dhe stërvitjet e grumbullimet janë pjesë e pandashme e jetës sime. Grumbullimet më japin mundësinë të jap 110 % të mundësive të mia që kap. Ndërkohë është dhe më e lehtë tanimë, pasi jemi grup dhe kemi mundësi të kalojmë edhe ditën, pavarësisht se për të gjithë stërvitja vazhdon me 13 seanca në javë. Shpresoj të më shpërblehet gjithë ky mund…