Adriatik Balla 15.05.2015 09:25
Atletja Luiza Gega është gati për të nisur sezonin në një nga veprimtaritë më prestigjioze të “mbretëreshës së sporteve”. “Diamond Ligë” çel sezonin për 2015 në Doha të Katarit dhe aty do të jetë edhe atletja jonë, e cila do të konkurrojë këtë të premte në garën e saj të preferuar, atë të 1500 metrave. Gara vlen për pikët kualifikuese për Olimpiadën “Rio 2016”, ku Luiza Gega do të jetë me siguri të plotë pjesëmarrëse në Brazil vitin e ardhshëm.
Këtë e jep si garanci trajneri i saj Taulant Stërmasi, sipas të cilit rezultatet e sportistes janë shumë të mirë, madje më mirë se një vit më parë, kur ajo theu disa rekorde kombëtare në 800, 1500 dhe 3000 m. Sportistja ka zhvilluar një fazë përgatitore intensive në Tenerife të Spanjës gjatë muajve të dimrit, ndërsa në dy muajt e fundit ka qenë në Dardhë të Korçës. Në “Diamond Ligë” Gega synon kapjen e normës olimpike, që është dhe objektivi i saj madhor.
Në radhët e “mbretëreshës së sporteve”, Gega është ndoshta sportistja e vetme që mund ta bëjë realitet ëndrrën për të shkuar në Olimpiadë me normë të kapur dhe jo me ftesë. Nga meshkujt atleti me më shumë shanse është Izmir Smajlaj, i cili garon në kërcim së gjati dhe ka parametra fantastikë.