ASNN – Organizmi që qeveris atletikën kontinentale e përzgjedh shqiptaren për anketën e muajit janar. Në profilet e saj në rrjetet sociale, Federata Evropiane e Atletikës, ka shpallur një anketë me 5 sportistet më të mira të muajit janar. Midis tyre është përzgjedhur, për herë të parë, edhe atletja kuqezi, Luiza Gega, e cila ka marrë edhe vlerësimin e organizmit që qeveris atletikën kontinentale.
Atletja shqiptare Luiza Gega, ka shkëlqyer në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Salla të Mbyllura, që u mbajt të premten e shkuar në Karlsruhe dhe që është pjesë e Turit Botëror të Atletikës. 31-vjeçarja është ngjitur në podium, duke marrë vendin e 3-të dhe medaljen e bronztë, por, më tepër se kaq, atletja kuqezi e ka thyer me më tepër se 8 sekonda rekordin e saj të mëparshëm në garën e 3,000 m.
Dhe kjo paraqitje e shtatshkurtrës shqiptare nuk ka kaluar pa u vënë re dhe është pikërisht Federata Evropiane e Atletikës, e cila, në profilet e saj në rrjetet sociale, ka shpallur një anketë me 5 sportistet më të mira të muajit janar. Midis tyre është përzgjedhur, për herë të parë, edhe atletja kuqezi, Luiza Gega, e cila ka marrë edhe vlerësimin e organizmit që qeveris atletikën kontinentale për dy arritjet që regjistroi në garën e 31 janarit.
Së pari, sportistja kuqezi e ka thyer me më tepër se 8 sekonda rekordin e saj të mëparshëm, që ishte me kohën 8 minuta, 52 sekonda e 53 të qindtat dhe që mbahej po prej saj. Dhe së dyti, koha e re, 8 minuta, 44 sekonda e 46 të qindtat, është në fakt edhe koha më e mirë e Evropës për këtë vit në disiplinën e 3,000 m për femra në salla të mbyllura.