AlbanianSport.com 14.02.2017 18:45
ASNN – Vetëm pak ditë pasi ajo ka marrë një medalje të bronztë në Francë, aty ku ka thyer edhe rekordin 21-vjeçar në 3,000 metra në salla të mbyllura, Luiza Gega i ka shtuar karrierës së saj një tjetër medalje. Atletja shqiptare është kthyer të martën në mbrëmje të garojë në disiplinën e saj origjinale, atë të 1,500 metrave, ku është renditur e dyta në Mitingun Ndërkombëtar të Sallave të Mbyllura, që u mbajt në Ostravë të Republikës Çeke.
Një tjetër garë, një tjetër podium, thjesht ndryshon gara, pista dhe kundërshtarët. Por edhe shkalla e podiumit. Duket se ky është bërë tashmë “lajtmotivi” i atletes më të mirë shqiptare të të gjitha kohërave, Luiza Gegës, e cila ka garuar sonte në një tjetër pistë evropiane, duke marrë një tjetër medalje. Atletja shtatshkurtër është kthyer sonte të garojë në disiplinën e saj origjinale, atë të 1,500 metrave, në Mitingun Ndërkombëtar të Sallave të Mbyllura në Ostravë të Republikës Çeke.
Në fakt, ka qenë një garë e ngadaltë përsa i përket ritmit, pasi kanë qenë plot 16 atlete në pistën çeke, një numër ky krejt i pazakontë për sallat e mbyllura, ku zakonisht lejohen deri në 12. Sikundër ka pohuar edhe vetë Gega për AlbanianSport.com pas garës, për këtë arsye, deri në 1,000 metrat e parë është vrapuar me ritëm shumë të ngadaltë. Shqiptarja është shkëputur në 300-400 metrat e fundit, duke mbërritur e dyta në finish me kohën 4 minuta, 8 sekonda e 23 të qindtat.
Kjo kohë është afro një sekondë e gjysmë më e ngadaltë sesa rekordi kombëtar i kësaj disipline në salla të mbyllura, që mbahen po nga vetë Luiza Gega.