AlbanianSport.com 20.05.2015 19:20
ASNN – Vetëm 5 ditë pasi ka thyer rekordin kombëtar në garën e 1,500 metrave dhe ka siguruar normën olimpike për “Rio 2016”, duke u renditur e 5-ta në botë në stacionin e parë të “Diamond Ligës”, veprimtarisë më prestigjioze vjetore të atletikës individuale, Luiza Gega ka korrur të mërkurën një tjetër sukses. Atletja shqiptare ka shkëlqyer këtë radhë në garën e vlefshme për veprimtarinë e dytë ndërkombëtare të atletikës individuale, të njohur si “Uërlld Çellenxh”.
Ajo është e renditur e 3-ta midis 14 pjesëmarrëseve, duke u ngjitur kështu edhe në podiumin e kësaj gare dhe duke marrë medaljen e bronztë. Në garën e zhvilluar në Stadiumin “Bërds Nest” në Pekin, ku u zhvilluan edhe Lojërat Olimpike të 2008-s, Gega arriti e treta në finish, me kohën 4 minuta, 4 sekonda dhe 20 të qindtat, duke qenë vetëm 8 të qindtat pas marokenes Arafi të vendit të dytë dhe 1 sekondë e 31 të qindtat pas ukrainases Mishçenko, që zuri vendin e parë.
Duhet theksuar se kjo garë u zhvillua në kushtet e një ere të fortë, çka ndikoi edhe në kohët e regjistruara nga sportistet pjesëmarrëse. Më 15 maj, Luiza Gega pati arritur, në një garë të vetme, të zhvilluar në mbrëmje në Doha të Katarit, të përmbushë 3 objektiva madhorë, duke u renditur e 5-ta midis 16 sportisteve më të mira në botë të kësaj disiplina, me kohën 4 minuta, 2 sekonda e 63 të qindtat, që është edhe një rekordi i ri kombëtar në 1,500 metra.
Me kohën e arritur në Doha të Katarit, Gega ka kapur edhe normën e kualifikimit për në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Rio 2016”, duke u bërë kështu e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në Brazil.