Gjergj Vyshka 03.06.2017 13:25
Luiza Gega, nënkampione e Evropës në 3,000 metra me pengesa, por në të njëjtën kohë rekordmene kombëtare në 800, 1,500, 3,000 me dhe pa pengesa, 5,000 dhe 10000 metra, dje ka qenë në një miting ndërkombëtar në Poloni.
Sipas trajnerit Taulante Stërmasi, Gega ka zënë vendin e dytë në 1,500 metra në Kupën e Bidgoshit, me kohën 4’09”76, duke qenë më mirë se sa mitingu ndërkombëtar i Elbasanit, në të cilin fiksoi rezultatin 4’13”99. “Gara ka qenë taktike, – thotë Stërmasi, -ndërsa është vrapuar më shumë për pozicion se sa për rekord.”
“Unë jam i kënaqur me vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë, ndërsa kam kërkuar jo rezultat të lartë, sepse këto për ne janë gara testuese, – ka vijuar ai. – Qëllimi ynë është 3000 metra me pengesa, ndërsa shpresojmë të thyejmë rekordin kombëtar 9’28”52 të vendosur në Amsterdam vitin e kaluar”
Duhet theksuar që në mitingun ndërkombëtar të Shangait, Gega e la në mes garën për shkak dëmtimi.