AlbanianSport.com 17.02.2017 17:05
ASNN – Vetëm 7 ditë dhe 3 medalje në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, që konfirmojnë formën e jashtëzakonshme të saj. Bëhet fjalë për Luiza Gegën, e cila sot pasdite, në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Salla të Mbyllura në Stamboll, ka bërë një tjetër garë të jashtëzakonshme në disiplinën e 1,500 metrave, duke marrë medaljen e artë.
Kjo medalje e artë erdhi vetëm 3 ditë pasi në të njëjtën disiplinë, në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Salla të Mbyllura në Ostravë të Republikës Çeke, mori medaljen e argjendtë. Ndërsa sot në Stamboll, Gega jo vetëm që ka bërë të vetën shkallën më të lartë të podiumit, por edhe ka thyer rekordin kombëtar të 1,500 metrave në salla të mbyllura.
Atletja shtatshkurtër ka mbërritur në finish me kohën 4 minuta, 6 sekonda e 65 të qindtat, që përfaqëson një përmirësim me 23 të qindtat të rekordit të mëparshëm që e mbante po vetë Gega. Të premten e shkuar, Luiza Gega pati marrë medaljen e bronztë në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Salla të Mbyllura në Paris, por, mbi të gjitha, arriti të thyente me plot 37 sekonda rekordin 21-vjeçar të Anila Kasatit në garën e 3,000 metrave.