Nga Gjergj Vyshka 19.04.2016 12:05
Ndërsa e kishin parashikuar të gjithë garën e Nën-18-vjeçarëve në Stadiumin “Elbasan Arena”, menjëherë kanë ardhur dhe devijimet e para. Sepse sipas lajmërimit të Federatës Shqiptare të Atletikës, që gjithçka e ka bërë të ditur nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Nikolin Dionisi, në mjediset e Stadiumin “Elbasan Arena” nuk lejohen të bëhen as hedhjet dhe as kërcimi së larti, gjë që të paktën për këtë të fundit nuk duket krejt normale. Një stadium ose është, ose nuk është për atletikën, sepse nuk mund të ndahet në dysh një kampionat, që tashmë ka mbetur mes Tiranës e Elbasanit.
E nëse do të flisnin me termat e rrugës Tiranë-Elbasan, e vjetra ka qenë 54 kilometra nëpërmjet Qafë-Kërrabës, Kampionati i Nën-18-vjeçarëve në Atletikës ka mbetur diku tek kilometri 29-të, atje ku bëhet dhe ndarja e dy rretheve. Sepse pyetja që shtrohet çfarë fitoi në këtë mes atletika shqiptare duke shkuar në kushtet komode të “Elbasan Arena”. Pasi po kështu ka qenë edhe duke i kryer veprimtaritë e saj në Tiranë. Aq më tepër që përpara janë Kupa e Shqipërisë, Kampionati Kombëtar i Të Rriturve, Të Rinjve, po pse jo dhe Kupa e Nderimit të Figurave.
E gjithnjë duket se do të jetë e njëjta histori duke e ndarë një veprimtari midis Tiranës dhe Elbasanit. E kjo jo për faj të Federatës Shqiptare të Atletikës, po sepse në “Elbasan Arena” nuk mund të bëhen hedhje, apo dhe kërcim së larti(?!). Sidoqoftë, programi i hedhjeve do të zhvillohet sot në këndin e ish-kompleksit “Dinamo”, kurse kërcimi së larti në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Dhe kur mendohet që të prishet ky stadium për t’u rikonstruktuar, atëherë i bie që së paku kërcimi së larti jo vetëm të pësojë fatin e kërcimit me shkop, disiplinë që nuk ekziston më, por të mos bëhet asgjëkundi.
E një kampionat që ndahet mes Tiranës dhe Elbasanit në dy ditë, me më shumë shpenzime për skuadrat, por dhe për Federatën Shqiptare të Atletikës, që duhet t’i paguajë për dy ditë gjyqtarët, nuk bën gjë tjetër, veçse kthehet në një garë të rëndomtë. Mirëpo ndodhin në Shqipëri…