Gjergj Vyshka 26.02.2017 10:45
Izmir Smajlaj, kërcyesi shqiptar së gjati, e ka bërë Beogradin që të flasë shqip në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në Salla të Mbyllura. I ka mjaftuar vetëm kërcimi i fundit, ai i gjashti, që shkodrani të shpallet për herë të parë në historinë e tij si sportist, “kampion i Ballkanit” në salla të mbyllura.
Jo vetëm kaq, por me rezultatin 7.98 metra është dhe rekordmeni i Shqipërisë në salla të mbyllura, sepse pas 8 vjetësh ka përmbysur rezultatin e Admir Bregut. Shkodrani tjetër, që më parë është stërvitur dhe nga trajneri i sotëm i Izmir Smajlajt, Vildan Tufi, pati fiksuar në Athinë, më 25 shkurt të 2008-ës, rezultatin 7.66 metra.
Por tashmë gjithçka flet për Izmir Smajlajn, që është rekordmen i Shqipërisë në kërcim së gjati për salla të mbyllura 7.98 metra dhe në garat në pistë të hapur me 8.03 metra. E jo vetëm kaq, por Smajlaj është dhe rekordmeni i kërcimit trehapësh me 16.30 metra. Që do të thotë se është “mbreti flutures”, që dje është zbukuruar dhe me medaljen e artë të kampionit të Ballkanit në salla të mbyllura.
Kampionati Ballkanik i Atletikës
në Salla të Mbyllura
“Beograd 2016”
Rezultatet teknike të kuqezinjve:
Meshkuj
Kërcim së gjati Izmir Smajlaj 7.98 m vendi i parë
800 m Eraldo Qerama 1’52”82 vendi i 6-të
60 m/p Bajram Muço 8”26 vendi i 17-të
Femra
800 m Relaksa Dauti 2’18”95 vendi i 10-të