Gjergj Vyshka 07.03.2017 07:55
Izmir Smajlaj, kampioni i Evropës në kërcim së gjati në salla të mbyllura, i cili triumfoi në Beograd të shtunën e kaluar, mëngjesin e së hënës është pritur me ovacione në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Edhe pse ishin orët e para të mëngjesit, tifozët e tij, shokët e miqtë nga Shkodra nuk kanë munguar t’i dalin përpara në Rinas dhe ta presim me oshtima. Dhe Izmir Smajlaj ka pranuar dhe një herë tjetër se kjo medalje ishte për të gjithë shqiptarët.
“Normalisht, – thotë Smajlaj, – që ishte garë e vështirë. Kjo medalje i shkon të gjithë shqiptarëve, familjarëve të mi, shokëve të mi. Të gjithë atyre që kanë kontribuuar. Gara është garë, ishte e fortë.”
“E arrita medaljen e artë në kërcimin e fundit. Kisha me vete familjarët e mi dhe shokët, të cilët më dhanë kurajo dhe ia arrita”, – ka përfunduar atleti i spikatur 23-vjeçar nga Shkodra.