ASNN – Bashkia e Shkodrës, për më tepër titullarja e saj, Voltana Ademi, kanë pritur zyrtarisht Kampionin e Evropës në salla të mbyllura në atletikë, Izmir Smajlaj. “Izmiri është në mendjen e gjithsecilit, ndërsa Shkodra është nderi i kombit, mbetet dhe do të jetë, – ka thënë ajo. – Është ndër sportistët më të mirë të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Për Shkodrën dhe qytetarët e Shkodrës ka qenë një emocion i madh.”
“Bëhet fjalë për një disiplinë sportive ku ne nuk kemi pas një nivel kaq të lartë sa ai i Izmirit në kampionatet evropiane, – ka vijuar kryebashkiakja Ademi. – Aq më tepër atletë me titullin “kampion Evrope”. Ka qenë emocion për mua personalisht, për shkodranët, për mbarë kombin. Medalja është e Izmirit në sajë të punës së tij, në sajë të trajnerit dhe në sajë të asaj që ka bërë gjatë të gjithë viteve që kur ishte 13 vjeç.”
“Por, nga ana tjetër, ajo që ka ndodhur në Kampionatin Evropian të Atletikës për salla të mbyllura ka treguar që Shkodra me të vërtetë është një ndër qytetet që ka potencialet për të mbështetur jo vetëm këtë disiplinë, por të gjitha sportet”, – vijoi kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke folur për mediat pas pritjes që i bëri 23-vjeçarit.
“Ne do ta mbështesim Izmirin, kam përgatitur një propozim për ta shqyrtuar në Këshillin Bashkiak në lidhje me shpërblimin financiar për suksesin e këtij titulli, – ka sqaruar ajo. – Nga ana tjetër, duke mos harruar që Izmiri do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror, apo dhe në aktivitete të tjera, jo vetëm ne si Bashki, por dhe shumë biznese duhet ta mbështesin atë.”