Të shtunën në Maltë është zhvilluar Kupa e Evropës në Atletikë për Vendet e Vogla, atje ku ka qenë pjesëmarrëse edhe Shqipëria. Por, i vetmi që ka shkëlqyer ishte Izmir Smajlaj, i cili, me 7.57 metra, jo vetëm që ka zënë vendin e dytë, por në të njëjtën kohë ka marrë dhe medaljen e argjendtë në kërcim së gjati.
Po në të njëjtën disiplinë, Gledis Halluni me 6.72 metra është renditur i 5-ti. Në 800 m Edison Muço me 1’51”11 është i 5-ti, kurse Eraldo Qerama me 1’51”61, i 7-ti. Ndërkohë për vajza në të njëjtën disiplinë Relaksa Dauti me 2’15”90 është renditur e nënta, ndërsa në 100 metra Maria Stillo me 12”89 dhe Eneida Deliu me 12”98 janë renditur në vendin e katërmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë. Ka pasur dhe mosnisje të garave. Dhe kjo gjë ka ndodhur me Ravio Ramën në 110 metra me pengesa dhe Eraldo Qeramën në 400 metra. Përgjithësisht, me përjashtim të Izmir Smajlajt, të gjithë të tjerët nuk e kanë përfaqësuar denjësisht.