Gjergj Vyshka 05.03.2017 18:45
Gjergji Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, është i vetmi që ka besuar tek Izmir Smajlajn. E ka pasur të vështirë të komentojë, sepse si tip emocional që është, ashtu sikurse ka ndodhur dhe në rastin e Luiza Gegës nënkampione Evrope, loton. Loton sepse, siç dhe deklaron vetë, askush nuk e ka besuar atë për Izmir Smajlaj.
“Ç’të të them, – thotë Ruli, – dridhem i tëri, pulsi ka shkuar 140 dhe nuk ka, mundësi të flasë. Është fenomen. Nuk më ka besuar askush për Izmirin. As Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, as Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe askush tjetër. Por ai është fenomen botëror.”
“E ka treguar me gjithçka që ka bërë në Beograd, jo vetëm në kërcimin e dytë, por dhe të fundit, – ka vijuar ish-rekordmeni. – E të kërcesh me 8.08 me sportistë të nivelit të lartë në kërcimin së gjati nuk është pak. Ky është sportisti i së ardhmes dhe shumë shpejt do t’ia dëgjoni zërin edhe në arenë botërore.”