Gjergj Vyshka 03.06.2016 13:50
Vetëm dy ditë më parë në një garë ndërkombëtare në Francë, e vogla e artë e atletikës shqiptare jo vetëm që ka dalë e parë në 3000 metra me pengesë me kohën 9’32”98, por në të njëjtën kohë ka thyer rekordin kombëtar që mbante po vetë, si dhe ka kapur normën olimpike.
Një gjë është reflektuar shpejt në Federatën Botërore dhe Evropiane, ndërsa mbajtësja e shumë rekordeve kombëtare në atletikën shqiptare në 800, 1500, 3000 me dhe pa pengesa, 5000 dhe 10.000 metra tashmë merret si fenomen. Por, Luiza Gega për rekordin e radhës, apo dhe për normën e re olimpike, ka marrë urime vetëm nga “SIGAL Uniqa Group Albania” dhe TNT, që janë dhe dy kompanitë e saj sponsorizuese.
“Më pas, – thotë atletja, – nga askush tjetër, përveç miqve dhe familjarëve”. Madje trajneri shkon dhe më tej kur thotë që nuk ka marrë asnjë shpërblim financiar, ndërsa nuk është paguar as rekordi kombëtar, por as rekordi ballkanik në 1,500 metra. E megjithatë, Luiza Gega, do të vijojë të shkëlqejë për atletikën shqiptare.