Gjergj Vyshka 13.02.2017 14:20
Luiza Gega, e cila të premten ka dalë e treta në një miting ndërkombëtar në salla të mbyllura në 3000 metra, duke fiksuar dhe kohën rekord për Shqipërinë, 8’52”53, ka rrëfyer emocionet e saj përmes një statusi në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”. “8’52”53 ishte koha ime për herë të parë në 3000 metra në garat dimërore, e cila gjithashtu është një kohë dhe më e mirë se në garat e verës”, – shkruan atletja.
“Rekord kombëtar, që është 37 sekonda më shpejt se sa rekordi që mbante Anila Kasati në vitin 1996, – ka vijuar ajo. – Sidoqoftë, përsëri nuk jam plotësisht e kënaqur sepse e di që mund të bëj shume me mire se kaq. Por, si hapje sezoni dhe si garë e parë, 3,000 metra në sallë ishte një test shumë i mirë për mua për objektivat që kam në sezonin e verës.”
“Bëhet fjalë për 3000 metra me pengesa, sepse aty është dhe synimi im më i madh, – ka theksuar nënkampionia shqiptare e Evropës në 3,000 metra me pengesa. -Psikologjikisht e pata pak të vështirë, pasi në garat dimërore edhe duke qenë gara e para kaq e gjatë në një pistë 200 metra më duhej të rrotullohesha 15 herë. Dhe kjo më dukej shumë, por u ndjeva mirë dhe garën tjetër pres rekord të ri nga vetja.”
“Nuk dua të lë pa falënderuar njerëzit që më urojnë e më mbështesin, ndërsa mbështetja e tyre bëhet më e madhe”, – ka përfunduar postimin e saj në “Facebook” atletja Luiza, Gega, e cila të martën do të jetë në garë në një miting ndërkombëtar në Ostrava, tashmë në 1,500 metra.