Gjergj Vyshka 01.08.2016 18:00
Rekordmenia absolute e Shqipërisë falënderoi kolegët dhe Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen, si dhe personalisht ministren Kodheli, e cila, siç u shpreh atletja, ka qenë zyrtarja e parë e cila e ka uruar, jo vetëm këtë herë, por edhe për arritjet në veprimtaritë e tjera. Sidomos kur doli Kampione e Ballkanit në Sallat e Mbyllura, ndërsa u bë dhe rekordmene e Ballkanit në 1500 metra.
Luiza Gega u shpreh gjithashtu se është tashmë e inkurajuar për të arritur rezultate sa më të larta edhe në “Rio 2016”. Ministrja Kodheli siguroi se mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes për nënkampionen e Evropës do të vazhdojë të jetë maksimale dhe e konsideroi Luizën si përfaqësuesen më të denjë të Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura shqiptare.
Gjithashtu ministrja Kodheli përgëzoi dhe trajnerin e atletes, Taulant Stërmasin, me të cilin foli për mbështetjen e mëtejshme që Luiza ka nevojë. Luiza Gega fitoi medaljen e argjendtë në 3000 metra me pengesa në Kampionatin Evropian në Amsterdam duke vendosur njëkohësisht edhe rekord të ri kombëtar me kohën 9’28”52. Nënkampionia e Evropës do të mbajë flamurin shqiptar në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Rio 2016” që do të zhvillohen nga data 5-21 gusht.
Praktikisht ministrja Kodheli është e para qeveritare që e viziton Gegën në kampingun e saj stërvitor, ndërsa sot në ora 18:00 do ta presë kryeministri Rama, kurse të martën kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj e në fund ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nikolla. E me 3 gusht, Gega, së bashku me trajnerin Stërmasi, por dhe zyrtarët e lartë të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, presidentin Bezhani dhe sekretarin e përgjithshëm Bello, do të nisen drejt Rios.
Delegacioni shqiptar në “Rio 2016”:
1) Luiza Gega Atletikë
2) Taulant Stërmasi Trajner
3) Izmir Smajlaj Atletikë
4) Vildan Tufi Trajner
5) Sidni Hoxha Not
6) Nikol Merizaj Not
7) Sadik Mema Trajner
8) Briken Calja Peshëngritje
9) Leonard Toska Trajner
10) Gjergji Ruli Shefi i Misionit
11) Kliton Muça Zyrtar
12) Mel Ostreni Mjek
13) Evangjeli Veli Peshëngritëse
14) Genci Barkiçi Trajner