ASNN – Luiza Gega ka marrë një goditje të fortë mbrëmjen e së premtes në Evropianin e Gllasgout, pasi një gafë, e cila ka ardhur si pasojë e mosnjohjes së rregullores, ka sjellë edhe skualifikimin e saj nga veprimtaria, një skualifikim që vjen ende pa e nisur garën. Ka qenë një veprim amatoresk, një veprim që ka ardhur drejtpërdrejt nga mosnjohja e rregullores.
Sportistja është regjistruar në dy gara, atë të 1500 metrave dhe në atë të 3000 metrave. Por duke qenë se garat ishin afër njëra-tjetrës, sportistja ka menduar të tërhiqet nga gara e 1500 metrave, për t’iu përkushtuar totalisht garës së 3000 metrave. Pra sportistja e ka braktisur garën e 1500 metrave, por kjo ka lënë pasoja, pasi është skualifikuar në të dyja disiplinat.
Sepse rregullorja parashikon që sportistja 24 orë para duhet të lajmërojë që nuk do të garojë dhe më pas të mos kishte probleme në garën tjetër. Ka qenë pikërisht ky problem i lindur nga mosparaqitja në garën e parë që e ka përjashtuar Luiza Gegën edhe nga gara e dytë, duke bërë që Evropiani i Gllasgout që nisi pikërisht të premten të mbyllet para kohe për të.
Ky është dështimi i dytë brenda ditës, pasi paradite u mësua se Izmir Smajlaj, atleti i kërcimit së gjati, nuk do të paraqitej në garë për shkak të një tërheqje muskulare, një dëmtim që sipas trajnerit të tij Gjergj Ruli rrezikonte t’i shkaktonte traumë nëse futej në garë. Në këto rrethana, ky është një dështim sektakolar i atletikës shqiptare në Evropianin e Gllasgout.