Gjergj Vyshka 06.06.2016 09:35
Dje paradite në të ashtuquajturin kompleks të hedhjeve në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, ose më saktë pas “Sheraton Hotel”, ka nisur Kampionati i 78-të Kombëtar i Atletikës për Të Rritur dhe Të Rritura. Një veprimtari që sot dhe nesër do të zhvendoset në “Elbasan Arena”. Nën korrektësinë e kryegjyqtarit të garave Filip Nito, gjyqtares Valbona Laukaj dhe sekretares së garave, Vjollca Hazizllari, si dhe nën vëzhgimin e zëvendëspresidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Ferdinand Canaj, është zhvilluar hedhja e çekiçit.
Ndryshe nga të federuarit për këtë garë, kjo garë është zhvilluar vetëm për femra në të cilën kanë marrë pjesë vetëm tre vajza. Si zakonisht Emiljana Ciko, rekordmenia në fuqi e kësaj disipline me 59.26 metra, është kampione me 54.30 metra. Në pesë hedhjet e tjera e ka fiksuar çekiçin dy herë 53.60 metra, dy herë në lartësinë 51 metra, si dhe një tjetër 52 metra. Përtej kërkesës së vazhdueshme të trajnerit Vaso Selenica, si Marsela Dini, e cila ka dalë e dyta me 31.45 metra, apo dhe Elona Allmuça me 22.45 metra nuk janë ngjitur aty ku duhet.
Hedhja e çekiçit sigurisht në kushte aspak normale, por ajo që të vjen keq është se pas shembjes së stadiumit ku do të strehohen këta hedhëse e ku do të bëjnë stërvitje. Një problem që do të mundojë më së shumti të gjithë atletikën e kryeqytetit. Megjithatë Emiljana Ciko është kampione e Shqipërisë në hedhjen e çekiçit.
Kampionati i 78-të Kombëtar
i Atletikës për Të Rritur & Të Rritura
Rezultatet teknike të
hedhjes së çekiçit për femra
1) Emiljana Ciko (Tirana) 54.30 m
2) Marsida Dini (Dinamo) 31.45 m
3) Elona Allmuça (Dinamo) 22.04 m