Gjergj Vyshka 08.01.2016 19:10
Ndërkohë në Iten të Kenias, së bashku me trajnerin Stërmasi dhe Luiza Gegën, janë edhe Eraldo Qerama, Jorgo Mino dhe grekja Zoi Andrikopolu. Për Qeramën dhe Minon, Stërmasi tregon formën dhe objektivat e tyre. “Tre atletët e tjerë, – thotë trajneri i Tiranës në atletikë, – kanë objektiva të afërt.”
“Eraldo Qerama është duke u përgatitur për Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura, ndërsa shpresojmë që të thyejë rekordin kombëtar në 800 metra, – ka sqaruar ai. – Është duke kaluar një gjendje të mirë fizike. Jorgo Mino do të testohet në 3,000 metra në Ballkanikun e Sallave të Mbyllura, edhe ai për të tentuar rekordin kombëtar.”
“Sigurisht që fokusi i tyre janë garat e verës, ku atje do të mundohemi për një përfaqësim sa më dinjitoz e pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të të rriturve në Holandë”, – shton Stërmasi. Nuk duhet harruar që Gega është në Kenia me shpenzimet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, edhe sepse është bursiste.
Kurse trajneri i saj, Stërmasi, është atje me shpenzimet e Federatës Shqiptare të Atletikës. Duhet kujtuar këtu se rekordi kombëtar në 800 metra në salla të mbyllura mbahet nga vetë Qerama me kohën 1’51”90, kurse në 3,000 metra nga Ardi Bekteshi me 8’27”17.