AlbanianSport.com 20/02/2020 18:05
ASNN – Atleti suedez, Armand Duplantis, ishte shumë pranë vendosjes, brenda 12 ditëve, të rekordit të 3-të botëror në kërcimin me shkop, në Sallave të Mbyllura. Këtë gjë ai provoi ta arrijë në turneun e Lievënit në Francë. 20-vjeçari kaloi mbi 6.07 metra për të fituar garën, duke lënë pas kampionin e botës, amerikanin Sam Kendriks me 5.90m, por nuk arriti të kalojë 6.19 m në të 3 provat që kishte në dispozicion.
Duplantisi kaloi 6.18 m në Gllasgou fundjavën e kaluar dhe 6.17 m në fillim të këtij muaji në Poloni duke thyer rekordin botëror 6-vjeçar të francezit Renod Lavilenie. Ai ishte shumë pranë arritjes së suksesit në garën e zhvilluar në veri të Francës, por e pa që nuk do ia dilte dot që në provën e dytë. “Këmbët më braktisën pak”, – tha atleti i spikatur suedez.
Në një kohë që edhe amerikania Sendi Morris gjithashtu u përpoq të thyente një rekord botëror për femra në kërcimin me shkop, por dështoi në provat për të kaluar 5.03 m. “Dy përpjekje të njëkohshme për rekord botëror janë diçka që ndoshta nuk do ta shohim më kurrë, – shtoi Duplantisi. – Ishte një moment shumë i këndshëm, pavarësisht se nuk ia arritëm.”
Duplantis do të provojë sërish të arrijë rekordin e tij të tretë përsëri të dielën në Klermont në një garë të organizuar nga Lavilenie. “Tani, nuk kam energji, por mendoj se të dielën do të jem mirë. Nuk mund të premtoj asgjë” – tha suedezi.