Gjergj Vyshka 05.01.2015 15:25
KOKSH dhe solidariteti olimpik vazhdojnë të kujdesën për rritjen e nivelit teknik të sporteve shqiptare, kurse Federatat vetë kanë harruar që duhen dhe të tilla kurse. Slloveni Bostian Bradeshko dhe boshnjakja Vahida Koziç do të jenë instruktorët e trajnerëve të atletikës shqiptare në kursin teknik, i cili ka nisur të shtunën. Është një kurs që vjen nëpërmjet mbështetjes së Solidaritetit Olimpik, si dhe Federatës Botërore të Atletikës e që do të zgjasë deri më 12 janar të këtij viti.
Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, trajnerët pjesëmarrës të këtij kursi do të pajisen me certifikatën e nivelit të parë të Federatës Botërore të Atletikës, e cila është e njohur ndërkombëtarisht. Në këtë kurs do të testohen 24 trajnerë, ku në plan të parë do të jetë atletika në shkolla, apo dhe në nivelin e fëmijëve. Kursin e ka përshëndetur presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, i cili është njëkohësisht dhe kryetari i komisionit teknik në KOKSH.
Ky nuk është kursi i parë që organizohet nga Solidariteti Olimpik, sepse rreth 9 vjet më parë, po me ndihmesën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, është organizuar një kurs i tillë me një trajner francez. Pikërisht Fernand Urtebise ka qenë në Tiranë, në periudhën 27 nëntor-16 dhjetor 2006, për të instruktuar trajnerët e atletikës shqiptare. Ajo që të vjen keq në këto raste është fakti që kurset e kualifikimit për rritjen e nivelit të trajnerëve bëhen vetëm me ideimin dhe ndihmën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, sepse Federatat vetë pak duket se janë të interesuar për këtë gjë.
Ndonëse janë pjesë e familjeve Evropiane e Botërore e marrin mbështetje financiare prej tyre. Gjithsesi tashmë është fakt, slloveni Bradesko e boshnjaku Koziç janë duke trajnuar teknikët e atletikës shqiptare, kurse KOKSH e ka për të disatën herë një tentativë të tillë për të rritur nivelin e trajnerëve shqiptar. Vetëm vitin e kaluar janë bërë kurse të tilla për mundjen, boksin, peshëngritjen.