AlbanianSport.com 24/05/2019 22:05
ASNN – Pak ditë më parë, atletja më e spikatur shqiptare, Luiza Gega, hapi sezonin e garave ndërkombëtare me pjesëmarrjen e saj në “Diamond League”, që u zhvillua në Shanghai. Sportistja kuqezi garoi në disiplinën e saj të preferuar, atë 3,000 metrave me pengesa, ku, përtej një niveli të madh konkurrence, u rendit e 10-ta, duke regjistruar kohën 9 minuta, 34 sekonda e 94 të qindtat. Ndonëse vinte në këtë veprimtari mes problemesh të shumta për shkak të mungesës së kushteve për një përgatitje optimale, Gega arriti të sigurojë pa u sforcuar një rezultat që i mundësoi kualifikim për në kampionatin botëror, që do të mbahet në Katar.
Duke folur për mediat sportive shqiptare pas kthimit nga Kina, Gega është shprehur e kënaqur më rezultatin e arritur. Ishte gara e parë, ku me trajnerin e kishim vendosur të bënim një test para fillimit të garave të qershorit, – ka thënë ajo. – Periudha e stërvitjes para garës së Shanghait ka qenë e vështirë, pasi koha ishte shumë e ftohtë dhe e lagësht, totalisht kundër asaj që kërkohet për një stërvitje ideale. Mungesa e infrastrukturës në Tiranë e bëri të domosdoshme të stërvitem në Korçë e Dardhë, ku temperaturat janë vërtet shumë të ulëta. Në lidhje me garën jam e kënaqur, pasi arrita shumë lehtë kualifikimin për në Kampionatin Botëror.”
“Standardi ishte 9.40.00, ndërsa unë dhashë rezultatin 9.34, – ka vijuar ajo. – Gjatë garës u panë disa mangësi që do të përmirësohen gjatë sezonit në vazhdim, por në përgjithësi jam e kënaqur për çfarë arrita atje. Forma ime është shumë e mirë dhe çdo ditë po përmirësohem në elementë që janë shumë të rëndësishëm në arritjen e rezultatit të lartë.” Sa u përket synimeve të saj për muajt në vijim, atletja shtatshkurtër thotë: “Si objektiva kam thyerjen e rekordit kombëtar dhe renditjen në Evropë me rezultatin më të mirë të vitit. Ndërkaq, kualifikimi për në Lojërat Olimpike është çështje kohe, i cili do të ndodhë në garën e radhës, që do të bëj jashtë vendit.”
“Ndërsa synimi kryesor është Botërori i Atletikës në Katar, ku pres të jem finaliste për të parën herë dhe mundësisht të jem në 8 vendet e para. Në përfundim, Luiza Gega ka edhe një apel përtej sportit. “Investimi në sport nuk ka lidhje vetëm me sportin si veprimtari fizike, por ka lidhje me investimin në të ardhmen e popullatës së re, që po lind e rritet ne Shqipëri. Brezi i ri po rritet më i pashëndetshëm se kurrë. Apeli që kam unë për organet vendimmarrëse në sport, është që të investohet në burime njerëzore (trajnerë), të vlerësohen ata që kanë kontribut në sport, të promovohen si vlerë e shtuar e shoqërisë dhe jo të promovohet antivlera.”