AlbanianSport.com 16.06.2016 14:40
ASNN – Sigurisht që Skënderbeu ka dhjetëvjeçarë të tërë që i jep tonin atletikës shqiptare, ndërsa gjithmonë ka nxjerrë sportistë më shumë se cilësorë. Përveç kampionëve në kampionate të ndryshme, vetëm pak ditë më parë ajo që ra në sy ishte rekordi i ri kombëtar, që u vendos në garën e 100 metrave për të reja nga sportistja e Skënderbeut, Iveta Urshini. Në fakt nuk u bë aspak bujë, ndërkohë që mund të themi edhe tjetrën që askush nuk e citoi një gjë të tillë.
Madje as Federata Shqiptare e Atletikës nuk e bëri publike, gjë që duhet vërtetë ta bënte, pasi është një rekord që thyhet prej 26 vitesh. Në Kampionatin Kombëtar për Të Rritur, të zhvilluar në datat 6 dhe 7 qershor në pistën me tartan të stadiumit “Elbasan Arena”, ka qenë atletja 18-vjeçare e Skënderbeut, Iveta Urshini, që ka vrapuar në garën e 100 metrave dhe ka thyer rekordin për të reja me tre të qindtat më shpejt se Rudina Xhaja një emër i mirënjohur i atletikës shqiptare vite më parë.
Në vitin 1990 ka qenë kryeqytetasja Xhaja, e cila, asokohe theu rekordin me vrapimin 12”37 në 100 metra. E vetëm pak ditë më parë ka qenë Urshini që ka vrapuar duke dhënë kohën 12”34, pra duke thyer rekordin 26 vjeçar që ishte vendosur më parë nga Xhaja. Sigurisht që ky rezultat është më shumë se pozitiv kur kujtojmë që Urshini është vetëm 18 vjeç dhe duket se është një atlete që premton shumë. Dhe shpejt priten edhe rekorde të tjera nga kjo sportiste.