Gjergj Vyshka 29.01.2015 15:15
Atletika shqiptare vitin 2015 do ta nisë të hënën, teksa në pistën me tartan të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” do të zhvillohet Kampionati Kombëtar Individual Dimëror. Një kampionat që prej vitesh zhvillohet në pistë të hapur, por që garat janë të barasvlershme me ato që bëhen në salla të mbyllura.
Sipas shpjegimit zyrtar që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, në përfundim të këtij kampionati do të mblidhet Komisioni Teknik, i cili do të propozojë atletët pjesëmarrës për në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura, që do të zhvillohet më 21 shkurt në Stamboll.
Dhe pasi të ketë përfunduar mbledhjen Komisioni Teknik do të jetë kryesia e cila do të vërë vulën, sepse atletika shqiptare, së bashku me Ballkaniadën, ka dhe një pjesëmarrje tjetër për sallat e mbyllura, që është Kampionati Evropian, i cili do të mbahet në Pragë, më 6 dhe 7 mars.
Ndërkohë një tjetër veprimtari ndërkombëtare në të cilin do të marrë pjesë atletika shqiptare është dhe Krosi i Pavarësisë së Kosovës, që do të zhvillohet në Junik, më 17 shkurt. Federata Shqiptare e Atletikës ka udhëzuar që gjatë kampionatit dimëror nuk mund të largohet asnjë atlet pa marrë diplomën dhe pa u ngjitur në podium për shpërndarjen me ceremoni të medaljeve.
“Sa për veprimtaritë e tjera të vitit 2015, – thotë Dionisi, – Komiteti Drejtues do të mblidhet më vonë, sepse do të përcaktojë kalendarin mbi bazën e grandit të ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit”. Nuk duhet harruar se vjet Luiza Gega ka qenë kampione e Ballkanit në sallat e mbyllura, si dhe pati dalë e 6-ta në Botërorin e Sopotit.
Programi i garave të Kampionatit Individual Dimëror
Meshkuj
11:00 Kërcim trehapësh
11:00 Hedhje gjyle
11:10 60 metra me pengesa
11:20 60 metra
11:40 Kërcim së gjati
11:40 400 metra
12:00 800 metra
12:30 Kërcim së larti
12:30 3000 metra
13:00 1500 metra
Femra
11:00 60 metra me pengesa
11:00 Kërcim trehapësh
11:00 Hedhje gjyle
11:30 60 metra
11:50 800 metra
12:15 400 metra
12:45 Kërcim së gjati
12:45 3000 metra
13:15 1500 metra
13:20 Kërcim së larti