Nga Gjergj Vyshka 21.08.2016 17:15
Pasi ka barazuar finlandezin e shekullit të kaluar Paavo Nurmin dhe Karl Ljuisin, xhamajkani është një emër që do të mbahet gjatë mend me tre të arta për çdo pjesëmarrje në Lojërat Olimpike. Jusein Bolt do të mbahet mend gjatë jo vetëm thjesht për 9 medaljet e tij të arta, atje ku përveç 100 dhe 200 metrave është pjesë e skuadrës së Xhamajkës dhe në stafetën 4×100 metra, por për treshn e këtyre medaljeve që ka bërë në tre pjesëmarrjet e tij në Lojërat Olimpike.
Një emër që nuk ka për t’u harruar kurrë, ndërkohë që një tjetër legjendë, tashmë për femra, duket se është kthyer dhe Alison Feliks me pesë medaljet e saj të arta. Buja e ditës së parafundit të atletikës botërore në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” ka ardhur nga taxhikistanasi i hedhjes së çekiçit dhe kërcyesja me shkop e Greqisë. Por ajo që duhet t’i vijë keq të gjithë atletikës botërore është mungesa e Rusisë, e përjashtuar si një plaçkë pa vlerë për shkak të dopingut, ndërsa me të “njomin u dogj dhe i thati”.
Sepse kërcimi me shkop për femra nuk ka pasur kuptim pa një legjendë si Elena Isinbajeva, rekordmenia e botës e cila është stërvitur nga legjendë historike e kësaj disipline si Sergei Bubka. Ajo i ka dhënë lamtumirën karrierës sportive me një mbishkrim për të gjithë drejtuesit e Federatës Botërore të Atletikës: Zoti do t’iu gjykojë për çfarë keni bërë. Sepse me të gjitha frenimet e bëra për shkak të dopingut në masë, atje ku u akuzua dhe shteti e pushteti i Putinit, Rusia përsëri mbetet fuqi madhore në sportin botëror.
E ndërkohë në 5,000 metra është befasuar etiopiania Ajana nga kenianet, që kanë ditur që në xhirot e fundit të marrin medaljen e artë. Atletika është drejt fundit së bashku me Lojërat Olimpike, ndërsa gjithçka është zhvilluar mes sukseseve dhe zhgënjimeve, po pse jo dhe mungesave të mëdha. E megjithatë legjendat mbeten legjenda si dhe i madhi Jusein Bolt…