Gjergj Vyshka 30.09.2015 08:50
Federata Shqiptare e Atletikës ka lajmëruar të gjithë anëtarët e saj se të enjten tek Kodrat e Liqenit në kryeqytet, pranë shkollës Jo publik “Uillson”, do të zhvillohet Krosi Kombëtar. E kjo do të jetë si për të reja dhe të rinj, ashtu dhe për të rritur e të rritura.
Federata Shqiptare i ka kërkuar klubet që listat e federimit të sportistëve pjesëmarrës në këtë Kros Kombëtar t’i dorëzojnë pesë ditë përpara aktivitet, ndërsa sekretarja e garave, Vjollca Hazisllari, i ka marrë në dorëzim që ditën e djeshme.
E tashmë është gjithçka gati për Krosin Kombëtar, që pas Kampionatit Dimëror Individual, kampionatit të moshave 10, 12, 14, 16, 18 vjeç, kampionatit të të rinjve, të të rriturve, apo dhe Vrapimit në Mal, pa harruar këtu dhe pjesëmarrjet në veprimtaritë ndërkombëtare, ato ballkanike e botërore, është veprimtaria e fundit për vitin 2015.
Ndërkaq të gjithë atletët pjesëmarrës në këtë Kros Kombëtar do të jenë të pajisur me numër personal, të cilin do ta marrin para zhvillimit të garës tek sekretaria.
Programi i zhvillimit të Krosit Kombëtar të Atletikës:
10:00 4 kilometra të reja
10:30 6 kilometra të rinj
11:00 8 kilometra të rritura
11:30 10 kilometra të rritur