AlbanianSport.com 22/10/2018 23:00
ASNN – Arsenali regjistroi sonte një fitore të madhe ndaj Leister Sitit, në takimin e zhvilluar në kuadër të javës së 9-të të Premier Ligës Angleze, me rezultatin 3-1, duke u ngjitur në vendin e tretë pas Mançester Sitit dhe Liverpulit. Ishte fitorja e dhjetë radhazi e skuadrës së drejtuar nga trajneri Unai Emeri, një ecuri mbresëlënëse.
Të udhëhequr nga dyshja shqiptare Shkodran Mustafi e Granit Xhaka, “Topçinjtë” e realizuan si duhet objektivin. Në fillim shënoi Leister Siti, pasi Belerini shkaktoi autogol në portën e tij, por në minutën e fundit të pjesës së parë, Mesut Ëzilli barazoi shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë trajneri Emeri bëri ndryshimin e duhur, duke futur në vend të mbrojtësit Lihshtajner sulmuesin Pier Emerik Obumejang, i cili shënoi dy gola dhe i dha fitoren Arsenalit. Pas këtij suksesi Arsenali shkon në 21 pikë, me pikë të barabarta me Çelsin e vendit të tretë dhe dy pikë më pak se dyshja kryesuese Mançester Siti-Liverpul.
Padyshim, fitorja e dhjetë radhazi tregon se Arsenali po kap limitet e veta këtë edicion dhe mund të pretendojë titullin në Premier Ligën Angleze.