AlbanianSport.com 22.01.2015 19:20
ASNN – Një kualifikim me shpirt nëpër dhëmbë, por një kualifikim që sidoqoftë vlen një vend midis 8 më të mirave të kontinentit në volejbollin e femrave. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë ajo që Arjola Prenga dhe skuadra e saj arriti në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, ndaj skuadrës vendase, Azerreil. Megjithatë, në fund ia ka vlejtur, sepse Stod Volej shkroi historinë, duke u bërë skuadra e parë norvegjeze që arrin në këtë fazë të kësaj veprimtarie të dytë të klubeve evropiane të volejbollit të femrave.
Stod Voleji e pati fituar ndeshjen e para 8 ditëve në fushën e vet me rezultatin 3-1, një ndeshje ku volejbollistja shqiptare ishte më e dalluara e skuadrës së saj në këtë triumf, duke dëshmuar një shpirt të jashtëzakonshëm gardhe duke shpallur edhe “Lojtarja Më e Vlefshme e Ndeshjes” (MVP – Most Valuable Player), pasi realizoi 18 nga 99 pikët e skuadrës së saj. Arjola nuk ka munguar të jetë as në 5-shen e parë të të gjitha statistikave të tjera.
Megjithatë, ka qenë një tjetër histori ajo që ka ndodhur sonte në kryeqytetin azer, pasi skuadra vendase ka shpërthyer, duke e fituar takimin brenda 84 minutash, në shifrat 3-0. Azerreili fitoi setin e parë 25-19, të dytin 25-20 dhe të tretin 25-21. Megjithatë, sikundër e parashikon rregullorja e kësaj veprimtarie, që thotë se rëndësi ka fitorja dhe jo bilanci i seteve, kjo sfidë e turit të 16-shes ka patur nevojë për të ashtuquajturin “set të artë”, për të përcaktuar skuadrën që shkon më tej.
Dhe ky set, ku Arjola ka spikatur me lojën e saj, duke dëshmuar se kur ajo është në formë, e gjithë skuadra ka një tjetër fizionomi, ka qenë një betejë e luftuar pikë për pikë, madje ka patur nevojë për pikët shtesë. Ndonëse një set me 15 pikë, nga 25 që kanë setet e zakonshme, ky fraksion i fundit loje ka zgjatur plot 23 minuta dhe ka qenë një betejë nervash ku në fund ka vendosur pika e shënuar nga braziliania Klarisë Peishoto, e cila ka vulosur fitoren e setit në shifrat 18-16 dhe kualifikimin për më tej.