AlbanianSport.com 03.02.2016 15:25
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, Klubi i Volejbollit “Drita”, e ka cilësuar volejbollisten nga Shqipëria, Arjola Prenga, si një përforcim me vlerë historike. Fundjavën e kaluar, Prenga, iu bashkua skuadrës gjilanase, duke iu bashkuar njëkohësisht dy motrave të veta, që gjithashtu luajnë për Dritën.
Arjola ndërpreu aventurën norvegjeze me Randabergun, të cilin e la në krye të renditjes së kampionatit vendas të volejbollit të femrave, për t’iu bashkuar motrës më të madhe, Amarildës, dhe motrës më të vogël, Adelajdës, tek Drita. Por Prenga është vetëm njëra prej 12 lojtareve të huaja që mund të kalojnë në volejbollin kosovar në afatin e dimrit.
Federata e Volejbollit e Kosovës të martën ka publikuar listën me emrat e 12 lojtareve, që sipas saj kanë kërkuar të kalojnë në ekipet kosovare. Ka gjasa që ndonjëra prej lojtareve që janë në këtë listë të mos u bashkohet skuadrave kosovare, por njohësit e lojës së rrjetës vlerësojnë se përforcimet e bëra premtojnë ngritje të volejbollit në nivel tjetër.