AlbanianSport.com 09.02.2015 19:35
ASNN – Ka rezultuar një kalvar i vërtetë për volejbollisten shqiptare ndeshja e kthimit të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, “Challenge Cup”, kundër ukrainaseve të Khimikut. Ndeshja e parë e luajtur në Norvegji ishte fituar nga ukrainaset me rezultatin 3-0 dhe Stod Voleji ka shkuar në ndeshjen e kthimit, që luhet sot, me një mision thuajse të pamundur, për të përmbysur këtë humbje, e për më tepër përballë një skuadre që nuk ka lëshuar asnjë set deri në këtë fazë të kësaj veprimtarie.
Sikur të mos mjaftonte kjo, skuadrës norvegjeze do t’i duhet të bëjë pa dy prej lojtareve të saj më të spikatura dhe më rezultative, shqiptaren Arjola Prenga dhe kubanezen Noris Kabrera. Kjo për arsye se dy vendet, si Shqipëria, ashtu edhe Kuba, kanë nevojë për viza për të hyrë në Ukrainë, viza që nuk merren dot në aeroport. Ky fakt u ka shpëtuar drejtuesve të klubit norvegjez të volejbollit dhe për rrjedhojë, Prenga dhe Kabrera “kanë bërë një xhiro” deri në Ukrainë.
Madje, në një komunikim me AlbanianSport.com, vetë sportistja ka thënë me shaka: “Erdha deri në Ukrainë për të pirë një kafe!”. Dy sportistet janë bllokuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Odesës dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, orari i fluturimit për t’u kthyer në Moskë e më pas në Oslo dhe në përfundim në Trond’haim, nuk ishte ora 15:00 e pasdites, por 03:00 e mëngjesit. Vetëm sot në mëngjes, dy sportistet kanë mbërritur në Moskë, për të vijuar më pas drejt Oslos e për të mbërritur në shtëpi në mesditë.