AlbanianSport.com 16.01.2016 15:50
ASNN – Një nga sportistet më të spikatura shqiptare, Arjola Prenga, është shpallur sot fituese e Kupës së Norvegjisë në volejboll për femra, pasi skuadra e saj ka triumfuar në 3 sete në finale ndaj Oslo Volejit. Ky është trofeu i 6-të që volejbollistja shqiptare fiton këto 4 sezone në volejbollin norvegjez, ku ka dalë dy herë kampione, ka triumfuar në dy finale kupe dhe ka fituar dy herë titullin në Ligën Rajonale Nordike.
Kapitenia shqiptare, Arjola Prenga, e ka udhëhequr skuadrën e saj, Randabergun, drejt suksesit në parketin e Pallatit të Sportit “Domus Atletika” në Oslo, kur është përballur me skuadrën vendase në finalen e Kupës së Norvegjisë në Volejboll për Femra dhe ka triumfuar me rezultatin 3-0. Skuadra e re, të cilës Arjola iu bashkua në verë, tashmë ka shkruar historinë duke shkuar, për herë të parë, në finale të veprimtarisë së dytë të rrjetës norvegjeze dhe duke triumfuar.
Kundërshtarja e saj, Oslo Volej, ishte fituese në fuqi e Kupës dhe vinte në finalen e 5-të radhazi, por ka qenë e pafuqishme në një takim ku skuadra e volejbollistes shqiptare ka dominuar në çdo aspekt. Në dy sfidat në kampionat, Randabergu fitoi 3-0 dhe 3-2 ndaj Oslo Volejit dhe të shtunën ka konfirmuar edhe një herë se mbetet pretendente për të fituar gjithçka këtë sezon.
Skuadra e Arjolës e ka fituar setin e parë 25-19, ndërsa në setin e dytë, pavarsisht se kryeqytetaset krijuan idenë e një reagimi, duke kryesuar deri në 5-0, Randabergu do të vijojë të përmbysë gjithçka, duke fituar 25-19. Edhe seti i tretë do të flasë për ekipin e shqiptares, që e fiton atë me shifrat 25-19 dhe gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0.
Arjola Prenga shënoi 11 pikë në këtë sfidë finale të Kupës së Norvegjisë në Volejboll për Femra, që u luajt sot në kryeqytetin Oslo, duke nisur nga ora 13:30. Ky është trofeu i 6-të që volejbollistja shqiptare fiton këto 4 sezone në volejbollin norvegjez, ku ka dalë dy herë “kampione”, ka triumfuar në dy finale kupe dhe ka fituar dy herë titullin në Ligën Rajonale Nordike.