AlbanianSport.com 25.10.2015 21:35
ASNN – Ka qenë një fundjavë shpërthyese kjo për sportisten shqiptare, Arjola Prenga, e cila po i bën kështu një nisje të jashtëzakonshme sezonit të ri të Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra. Në takimin e vlefshëm për javën e dytë të nivelit më të lartë të volejbollit norvegjez, kundër Nyborgut, Prenga ka qenë e papërmbajtshme, duke shënua plot 1/3-tën e pikëve të realizuar nga skuadra e tij, Randabergu.
Skuadra e Arjolës fitoi në 4 sete, duke e marrë të parin 25-23, ndërsa skuadra mike ka reaguar në setin e dytë, duke e fituar atë në të njëjtat shifra. Por kjo ide e një ndeshjeje të baraspeshuar është shkërmoqur shpejt në setin e tretë, kur skuadra e Randabergut, e udhëhequr nga kapitenia shqiptare, ka fituar me shifrat e thella 25-14, për të vijuar të marrë edhe setin e katërt 25-19 dhe, bashkë me të, edhe gjithë takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1.
Ajo që spikati ishte në fakt loja e 29-vjeçares shqiptare, e realizoi 26 pikë, nga 77 që shënoi e gjithë skuadra e saj, pasi 21 pikët e tjera, nga 98 gjithsej, erdhën si pasojë e gabimeve të kundërshtareve. Kjo ishte një tjetër paraqitje e jashtëzakonshme e volejbollistes shqiptare, e cila, së bashku me Jana Jaudzeman, që realizoi 16 pikë, dhe Henrietë Andersenin, që realizoi 12, ishin kontribuueset kryesore në fitoren e dytë radhazi të Randabergut.
29-vjeçarja e udhëhoqi skuadrën e saj të re, Randabergun, në fitoren e javës së parë të Kampionatit Norvegjez ndaj Oslo Volejit. Pas shpërbërjes së kampiones në fuqi, Stod Volejit, me të cilin Arjola luajti për 3 sezone, duke fituar dy herë kampionatin dhe Kupën e Norvegjisë, si dhe duke u kurorëzuar 3 herë kampione e Ligës Rajonale Nordike, skuadra e re e shqiptares ka vendosur menjëherë kandidaturën si pretendente për trofe, me atë fitore bindëse që arriti në sete në shtëpinë e saj ndaj rivales kryeqytetase.
Loja e Arjola Prengës erdhi gjithmonë e më në rritje në dy setet e fundit të atij takimi të para dy javëve, duke u konkretizuar edhe me pikë, sidomos drejt fundit të ndeshjes, ku 29-vjeçarja e mbylli me 17 pikë të realizuara, çka përbën 1/3-tën e pikëve të realizuara nga skuadra e saj (54), pasi 21 pikët e tjera erdhën si rrjedhojë e gabimeve të kundërshtareve. Kjo bëri që volejbollistja shqiptare të shpallej “Lojtarja më e Vlefshme e Ndeshjes” (MVP).