Gjergj Vyshka 15.12.2015 14:25
E ka pasur detyrim moral Arben Peto këtë Kupë për Gëzim Panaritin, jo vetëm sepse jetonin në të njëjtën shkallë, por sepse janë të së njëjtës moshë e për më tepër edhe shokë klase. Edhe sot pas një muaj ai përsëri emocionohet për mungesën e pazëvendësueshme të mikut të tij, të cilën do ta ndjejë gjatë. Ndaj dhe lotohet sa herë e kujton.
“Gëzim Panariti ishte një mik i mirë, një shok i pazëvendësueshëm, një familjar i rrallë mungesa e të cilit është shumë e madhe, – ka deklaruar ai. – Unë gjej rastin të falënderoj jo vetëm Ismetin e Partizanit, por dhe Bilalin e Ardhmërisë që pranuan ftesën tonë për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Nuk është e vërtetë që nuk kujtohemi për figurat tona.”
“Kjo, sepse ne edhe më parë kemi bërë kupa për Vaso Shakën, Roland Avramin, apo dhe të tjerë që kanë kontribuar në basketbollin bardheblu, – ka vijuar ai. – Është mirë që ne e kemi kthyer si traditë dhe besojmë se do ta kemi të përvitshme një kupë të tillë”. Por Peto nuk ka harruar të ndalet edhe tek skuadra aktuale duke premtuar: “Tirana është e aftë për trofe, jo vetëm për titullin kampion, por dhe për Kupën e Shqipërisë”.