Gjergj Vyshka 18.01.2015 10:55
Miqësorja e fundit në prag të fazës së tretë të Kategorisë Superiore ka vërtetuar gjendjen jo të mirë në të cilën ndodhet aktualisht Apolonia.
Aq sa, të paktën dhe sipas drejtuesve bardhejeshil, me vetëm Dimon të ardhur në këtë treg të lëvizjeve të futbollistëve dhe me pesë lojtarë të larguar, Apolonia kërkon të mbyllë me dy-tre përforcime të tjera skuadrën përpara ndeshjes së 24 janarit ndaj Tiranës.
Dje fierakët kanë qenë përballë Lushnjës në “Roza Haxhiu”, e cila është kryesuese e grupit të Jugut në Kategorinë e Parë dhe si e tillë pretendon që të ngjitet në Superiore. Apolonia ka kaluar shpejt në epërsi me anë të Rajkoviçit.
Por në harkun e pesë minutave, Lushnja e Artan Banos ka barazuar me Albi Hodon, i cili është në provë, dhe më pas ka kaluar në epërsi me Branicën, duke fiksuar përfundimisht rezultati 2-1 për Lushnjën.
Në totalin e saj, të paktën dhe me atë që është parë në fushë, Lushnja është dukur më e fortë se sa Apolonia. Ndaj dhe dje e ka fituar miqësoren e dytë të periudhës përgatitore dimërore.
Lushnja – Apolonia 2-1
Shënues: Hodo, Branica / Rajkoviç