AlbanianSport.com 30.09.2014 11:35
ASNN – Klubi i Tiranës e ka kundërshtua publikisht vendimin, sipas tij, “absurd” që Komisioni i Apelit mori pasditen e së hënës, duke lënë në fuqi masën ndëshkuese që Komisioni i Disiplinës kishte marrë më parë, që e dënonte këtë skuadër me 15 ndeshje pa tifozë.
Sipas klubit bardheblu, “mbyllja e dyerve të stadiumit është një masë e cila dëmton, dhunon dhe persekuton klubin bardheblu. KF Tirana kundërshton këto vendime arbitrare, të bazuara në një nën te rregullores, ku gjithçka i lihet subjektivitetit.” Në vijim, të deklaratës për shtyp, klubi bardheblu këmbëngul “se po gjykohet dhe dënohet me ndëshkime të cilat nuk kanë asnjë lidhje me futbollin”.
“Dënime të tilla janë të paprecedente dhe merren nga një institucion që standartet e organeve gjyqësore sportive i vendos sipas humorit të rastit”, – thekson më tej deklarata e klubit bardheblu, duke shtuar se “Tirana dënon publikisht Federatën Shqiptare të Futbollit për këtë vendim dhe dëmet e shkaktuara nga ky proces i turpshëm në kurriz të KF Tiranës janë sportive, financiare dhe morale.”
Edhe klubi i Vllaznisë e ka quajtur të padrejtë mosreduktimin e dënimit me 10 ndeshje që Komisioni i Apelit la në fuqi për incidentet e takimit midis dy skuadrave në Shkodër.