AlbanianSport.com 12.10.2014 22:05
ASNN – Anglia ka fituar 1-0 me Estoninë duke korrur kështu, suksesin e tretë e duke kaluar në krye të grupit E të Eliminatoreve të Euro 2016-s. Spanja e ka marrë veten pas humbjes me Sllovakinë, duke fituar 4-0 me Luksemburgun. Ndërsa Rusia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Moldavinë. Anglia, edhe pse nuk shkëlqen në lojë, vazhdon të fitojë në ndeshjet eliminatore të Evropianit “Francë 2016”.
Skuadra e trajnerit Roi Hoxhson ka fituar me Estoninë, edhe pse në pjesën e dytë ka luajtur me 10 lojtarë. Uilsher e Runi shfaqen rrezikshëm por, skuadra estoneze mbrohet mirë deri në minutën e 73-të, kur kapiteni Uejn Runi arrin të shënojë. 1-0 për Anglinë, ndërsa Runi siglon golin e 43-të me përfaqësuesen e “Tre luanëve”, duke mbetur vetëm 6 gola larg rekordit të Bobi Çarltonit.
Për herë të parë që nga viti 2006, anglezët arrijnë të mbajnë të paprekur portën e tyre, për 5 ndeshje radhazi. Ndërkohë që me tre fitore në grup, skuadra angleze qëndron në krye të grupit E. Po për këtë grup, Rusia nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 me Moldavinë. Një barazim që i ka kushtuar skuadrës së trajnerit Kapelo kryesimin e grupit G.
Me 7 pikë ndodhet Austria, që ka mundur 1-0 Malin e Zi. Pas humbjes 1-2 me Sllovakinë, Spanja u rikthehet fitoreve. Futbollistët e trajnerit Del Boske kanë mundur 4-0 Luksemburgun. Aktualisht përfaqësuesja spanjolle ndodhet në vendin e dytë në grupin C, së bashku me Ukrainën, që ka fituar 1-0 me Maqedoninë. Ndërsa Sllovakia ka fituar 3-1 me Bjellorusinë, duke mbajtur kështu vendin e parë në grup me tre fitore.