AlbanianSport.com 07/09/2019 20:55
ASNN – Thyen Bullgarinë me një 3-golësh të Herri Kejnit, kapërcen mbi Kosovën në renditje. Anglia nuk ka gabuar në shtëpi të shtunën përballë Bullgarisë, duke fituar me rezultatin e thellë 4-0 dhe duke marrë kreun e renditjes së grupit A. Në fakt, pjesa e parë e kësaj sfide të luajtur në mitikun “Uembli” të Londrës është vendosur nga episodi i minutës së 23-të, kur anglezët përfitojnë nga një gafë e portierit dhe mbrojtjes bullgare dhe gjejnë golin e epërsisë me anë të Herri Kejnit.
Pjesa e parë do të mbyllet me këtë epërsi minimale të vendasve, ndërsa ajo e dyta do të nisë praktikisht me gol, pasi anglezët do të fitojnë një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Herri Kejn. Në minutën e 55-të, Herri Kejn do të shërbejë saktë për Rahim Stërlingun, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë golin e 3-të të Anglisë. Anglia do të gjejë edhe golin e 4-t dhe Herri Kejn do të plotësojë 3-golëshin e tij personal në këtë takim, 17 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Nuk ka më gola të tjerë paskëtaj dhe Anglia mund Bullgarinë 4-0. Kjo ishte fitorja e 3-të e anglezëve në po aq ndeshje, që i ngjit ata në krye të renditjes me 9 pikë, një më tepër sesa Kosova e vendit të dytë, që sidoqoftë ka luajtur një ndeshje më tepër. Anglia pret Kosovën më 10 shtator në takimin e radhës.