AlbanianSport.com 26.07.2015 13:25
ASNN – Humbet futbolli evropian, por ai amerikan fiton një nga mesfushorët më të mirë të historisë së këtij sporti. Me klasin e tij dhe goditjet e pakopjueshme të dënimit kishte merituar nofkën “Maestro”. Tani mjeshtërinë e tij në fushë do ta shijojnë tifozët e Nju Jork Sitit, që ka prezantuar zyrtarisht Andrea Pirlon.
Mesfushori italian i shtohet emrave të tjerë të mëdhenj të futbollit që kanë vendosur të mbyllin karrierën në kampionatin amerikan të futbollit. “Nuk jam këtu për pushime, – ka deklaruar ish-futbollisti i Juventusit, Interit dhe Milanit. – Do të gënjeja sikur të thoja se e kam ndjekur kampionatin këtu.”
“Por fakti që luajnë futbollistë si Kaka apo Xherrard tregon se futbolli po rritet shumë këtu, – ka vijuar Pirlo. – Unë do të bëj më të mirën për skuadrën dhe tifozët.” Mesfushori rrëfeu edhe arsyet se përse u largua nga Juventusi. “Mendoj se ky ishte momenti më i mirë për t’i dhënë fund aventurës me Juventusin”, – pohoi ai.
“Largohem si “kampion” dhe pas finales së Ligës së Kampioneve dhe ky ishte momenti i duhur, pasi nuk mund të prisja që të më largonin të tjerët”, – u shpreh futbollisti. Pirlo ka nisur menjëherë stërvitjen, ndërsa do të debutojë të dielën në mbrëmje, në sfidën që Nju Jork Siti do të luajë kundër Orlandos, ku luan Rikardo Kaka.