AlbanianSport.com 07/07/2021 20:35
ASNN – Alvaro Morata është lojtari që është kritikuar më shumë për paraqitjet e tij në “Euro 2020”. Duke filluar nga ndeshjet në grupe, e deri në gjysmëfinalen e humbur të martën në mbrëmje përballë Italisë. Madje, tifozët spanjollë, tepër të irrituar me paraqitjen e dobët të sulmuesit, humbjen e shumë rasteve për gol në ndeshje, e kanë kërcënuar me jetë lojtarin dhe familjen e tij.
Megjithatë ai ka besimin e trajnerit Luis Enrike, i cili e ka aktivizuar rregullisht në ndeshjet e Evropianit. Madje e ka justifikuar Moratën se ai është një lojtar i mirë, duhet patur besim dhe do ta ndihmojë skuadrën. E më pas Morata u rikthye te goli, duke rigjetur edhe përkrahjen e tifozëve. Por në ndeshjen ndaj Italisë, trajneri Enrike nuk e aktivizoi sulmuesin në formacionin fillestar, por nga stoli.
Dhe Morata shënoi golin e barazimit. Por vetëm kaq, sepse atëherë kur duhej, ai nuk shënoi 11-metërshin vendimtar për kualifikimin e Spanjën në finalen e “Euro 2020”. Megjithë këto, Morata mund të mburret me faktin që është lojtari që ka shënuar më shumë gola në Kampionatet Evropiane me Spanjën. Me golin e shënuar ndaj Italisë ai ka arritur në shifrën e 6 golave.
Kështu ai kalon edhe Fernando Torresin që kishte shënuar pesë gola.