AlbanianSport.com 24/02/2022 17:55
ASNN – Shqipëria dhe futbolli shqiptar do të jetë sërish në qendër të mediave dhe botës së futbollit evropian ditën e premte. Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht për finalen e madhe të Ligës së Konferencës, pasi të premten, në mjesidet e selisë së UEFA-s në Zvicër do të hidhet shorti i turit të 16-shes së kësaj veprimtarie. Në 8 ndeshjet që do të zhvillohen mbrëmjen e sotme do të mësohen edhe skuadrat që do të kalojnë në fazën tjetër, pas ekipeve që janë kualifikuar tashmë për në 16-she.
I pranishëm në shortin e ditës së premte do të jetë përfaqësuesi i Shqipërisë, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, i cili do të ndjekë nga afër këtë ceremoni dhe së bashku me përfaqësues të UEFA-s do të tërheqë goglat për të përcaktuar çiftet e kësaj faze me eliminim të drejtpërdrejtë. Në një prononcim të shkurtër për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit, Altin Lala ndihet krenar për mundësinë e dhënë, për të qenë pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.
Ai shpreson se Federata dhe shteti shqiptar do t’ia kthejnë në të njëjtën monedhë vlerësimin UEFA-s, me një organizim perfekt. Lala gjithashtu vlerëson Stadiumin “Arena Kombëtare” ndërsa vlerëson edhe kontributin e Presidentit Duka në futbollin shqiptar. Duke folur për ndjesinë që do jetë pjesë e shortit, ish-futbollisti tha: “Për faktin që është finalja e parë e një aktiviteti kaq madhor për Shqipërinë, natyrisht që ndihem edhe unë krenar që marr pjesë në këtë short dhe të jem i ftuar nga UEFA.”
“Është e jashtëzakonshme për mua dhe shpresoj që edhe ne si Federatë, si shtet, si komb, ta justifikojmë këtë finale duke i bërë organizimin e mirë dhe mikëpritjen, që në fakt është virtyti ynë, – ka vijuar Lala. – Besoj se do jetë një festë shumë e bukur! Nuk do e kishim menduar më parë që do kishim fatin që në Shqipëri të zhvillohej një ndeshje e këtyre përmasave. Kjo tregon edhe punën që Federata ka bërë ndër vite dhe vlerësimin që UEFA i ka bërë FSHF-së, duke i besuar zhvillimin e kësaj finaleje.”
“Gjithashtu edhe stadiumi, që është shumë i bukur. Unë kam luajtur në shumë vende, por stadiumi në Tiranë është me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Këto punë të mira që janë bërë nga Federata na bëjnë edhe ne krenarë kudo nëpër botë. Personalisht, i jap vlerësimet e mia FSHF-së dhe sigurisht Presidentit Duka që ka shumë merita në të gjithë punën që e bërë për shumë vite. E falënderoj nga ana ime për kontributin e tij në futbollin shqiptar”, ka përfunduar Altin Lala.