Aleksandër Bojaxhi* 29.09.2015 12:55
Në kuadrin e planit të veprimtarive kombëtare të Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FSHALTM) kjo fundjavë mblodhi në zonën e shkëmbijve të fshatit Rranzë, në lindje të malit të Gamit, anëtarë të bërthamave alpinistike të vendit tonë, të cilët nderuan shoqëritë sportive nga Përmeti, Elbasani, Vlora, Kruja, Partizani, ShBA Tirana, Tirana Rok.
Synimi i veprimtarisë ishte që anëtarëve në moshë të re të këtyre shoqërive sportive t’u përcilleshin njohuri teknike lidhur me kacavarjen, element i domosdoshëm për të kompletuar njohuritë teknike të një alpinisti të mirëfilltë. Andaj dhe për fillimet u mendua të praktikohej kacavarja sportive, e cila lehtësohet nga poligonet e parapërgatitura në malin e Gamit të rrethit të Krujës (në pjesën veriore të digës së rezervuarit të Bovillës).
Gjatë mësimeve teorike e praktike të zhvilluara, të rinjtë u njohën me disa nga nyjet më të përdorshme për lidhjen e litarëve midis tyre, si edhe me përdorimin e tyre në pajimet e nevojshme për realizimin e ngjitjes, teknikat e kalimit të litarëve nëpër karabina, hetimi dhe përdorimi i pikave të kapjes dhe atyre të mbështetjes, kacavarjes dhe zbritjes me sigurim nga lart, etj.
Këto njohuri do të shfrytëzohen nga të rinjtë pjesëmarrës në veprimtari që zhvillohen në palestrat dhe muret e kacavarjes dhe në të ardhmen e afërt do të zhvillohen më tej në shkëmbej të pa shënuar. Vlen të përmendet se pjesëmarrësit treguan interes të lartë për të përvetësuar programin e veprimtarisë dhe veçanërisht vlen të cilësohen të rinjtë Aleks Deneka, Klaudio Zotaj, Driton Leksi, Aldo Tabaku, Tritan Guni.
Për realizimin e veprimtarisë, lidhur me përcjelljen tek më të rinjtë të njohurive teorike e praktike, ndihmuan kacavarës më përvojë të vendit tonë si Gerhard Duro e Kleivi Ndrejaj të Partizanit, si dhe Elion Çikopano e Enis Shehu të shoqërisë Tirana Rok. Ky aktivitet u zhvillua nga data 25-28 shtator me pjesëmarrjen e rreth 40 alpinistëve. Në fakt gara edhe pse nuk është zhvilluar në një kohë jo të mirë, ndërsa shiu i dendur ka qenë problem për alpinistët, ngjitja shkëmbore në Bovillë për vitin 2015 sidoqoftë u realizua.
* Drejtues i veprimtarisë dhe Mjeshtër i Edukimit