Gjergj Vyshka 22.09.2015 11:15
Federata Shqiptare e Alpinizmit, të paktën edhe sipas njoftimit që ka bërë për gazetën “Sport Ekspres” Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ilirjan Çule, është gati për veprimtarinë e dytë kombëtar të këtij viti. Bëhet fjalë për ngjitjen shkëmbore në Bovillë, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë.
“Ne kemi lajmëruar të gjitha klubet dhe shoqata që janë anëtare të Federatës sonë, – ka thënë ai. – Pra janë gjithsej 16 klube nga të cilat ne presim minimalisht që të jenë tre sportistë. Që do të thotë se do të jenë 50 sportistë në garë. Grumbullimi është parashikuar të premten në mbrëmje.”
“Ndërkohë është parashikuar dhe qëndrimi i alpinistëve nëpër çadra. E më pas ngjitja do të bëhet në dy ditë të shtunën dhe të dielën. E kjo në një farë mënyre zëvendëson edhe ngjitjen shkëmbore të verës”, ka thënë Çule. Mirëpo ajo që mund ta bëjë të vështirë këtë ngjitje shkëmbore janë dhe kushtet e këqija atmosferike, të cilat që nga fundi i kësaj jave kanë pushtuar vendin tonë. “Edhe kjo na ka krijuar një farë pikëpyetje. Megjithatë do ta shohim kohën në ditët në vazhdim dhe më pas do të vendosim. Por që ngjitja shkëmbore e Bovillës është parashikuar për këtë fundjavë”, ka mbyllur sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule.