Gjergj Vyshka 21.09.2016 09:00
Shoqata e Alpeve Shqiptare (SHASH), me president Kujtim Onuzi, i cili njëkohësisht është dhe anëtari i kryesisë së Federatës Shqiptare të Alpinizmit, të premten do të nënshkruajë marrëveshjen e bashkëpunimit me Shoqatën e Alpeve të Austrisë.
Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së kulturës së Ambasadës së Austrisë në Tiranë, shpërndarë elektronikisht për mediet nga Eljana Mankollari, aktiviteti do të zhvillohet të premten në ora 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Një veprimtari që është nën mbështetjen e Ambasadës austriake në Tiranë, e cila ka përkrahur këtë veprimtari të përbashkët të të dy shoqatave të Alpeve. Sipas programit, veprimtaria do të çelet nga ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Dr. Johan Satler.
Më pas do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shoqatave, që do të shoqërohet edhe me deklaratat e Kristian Shrajterit dhe Berhard Stumer, pjesëtar të Shoqatës së Alpeve të Austrisë, si dhe Kujtim Onuzit presidenti i Shoqatës së Alpeve të Shqipërisë.
E gjithë kjo veprimtari është dhe në kuadrin e festimeve të 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Austri.