Gjergj Vyshka 17.12.2015 14:35
Pesë alpinistë shqiptarë janë gati për t’u ngjitur në Kilimanxharo, e lartë 5,895 metra në Tanzani. Kështu ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Ilirjan Çule, ndërsa ka bërë të ditur se tashmë është bërë traditë ngjitja e majave më të larta të botës nga shqiptarë. Më parë në Everest, më pas në Akonkagua dhe në Ararat e tani në Kilimanxharo.
E ata që kanë marrë këtë iniciativë janë Artur Guni (shoqata AST Elbasan, 18 vjet alpinist), Arben Shati (shoqata AST Elbasan, 6 vjet alpinist), Klaudio Zotaj (Shoqata Alpino Turistiko Vlora, 12 vjet alpinist), Anjeza Kaleci (Shoqata Hig Albania, 2 vjet alpinizëm) dhe Kozeta Mustafaraj (5 vite si alpiniste). Kjo ngjitet zhvillohet nën patronazhin e Unionit Ballkanik Alpinistik, me drejtes Zhivko Temelkovski.
Në ditën e parë bëhet ngjitja nga Marangu Gate (1860 metra) në Mandara Hat (2751 metra). Në ditën e dytë ngjitja arrin në Horombo Hat në lartësinë 3705 metra. Në ditën e tretë do të kapet maja Kibo Hat (4730 metra) dhe në ditën e 5-të maja e Kilimanxharos, Maja Uhuru 5895 metra. Sekretari Çule ka bërë të ditur se kryetari i grupit do të jetë Artur Guni.
Ndërsa alpinistëve i është uruar suksese nga Federata Shqiptare e Alpinizimit. “Kjo majë është pushtuar dhe herë të tjera nga alpinistët shqiptarë, ndërsa atje do të jetë temperatura minus 20 gradë celsius. Por ky aktivitet merr vlera, sepse është nën patronazhin e Unionit Ballkanik”, – ka përfunduar Çule, kurse alpinistët janë përshëndetur edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Jani Ziso.