Gjergj Vyshka 14.03.2017 11:35
Për shkak të kushteve të këqija të motit me era të forta, dëborë dhe mjegull, alpinistët kanë arritur deri në kuotën e 2150 metrave në Ostrovicë. Në fakt fati nuk ka qenë me alpinistinët, sepse e shtuna ka gdhirë me dëborë dhe vranësira, por dhe me një erë të fortë, e cila sipas parashikimeve në mal do të ishte dhe shumë më e fortë. Dhe parashikimet nuk gabuan, ndryshe nga çfarë kishin parashikuar sinoptikanët një ditë më parë.
Vështirësitë e para janë shfaqur në rrugën e kalimit për në fshatin Shtyllë, 7 kilometra larg Vithkuqit, atje ku trashësia e dëborës shkonte 20 centimetra. Një trashësi e tillë është bërë pengesë për makinat që nuk ishin të pajisura me zinxhirë. Në këtë mënyrë alpinistëve u është zgjatur rruga në këmbë. Megjithatë grupi i pararojës ishte lëshuar drejt majës, ndonëse era sa vinte dhe forcohej, kurse grimcat e dëborës të godisnin në fytyrë.
Në lartësinë 2,150 metra shpejtësia e erës ishte 60-70 kilometra në orë, gati po i rrëzonte alpinistët në greminë. Dhe në këtë mënyrë për të mos rrezikuar, alpinistët kanë marrë pozicionin e skiatorit që kërcen nga trampolina. E në këtë mënyrë, pas 6 orë ngjitjeje, është dhënë urdhëri për t’u kthyer për të mos rrezikuar më shumë. E maja që ishte 250 metra larg në kushtet e një ere të tejskajshme me dëborë dhe mjegull s’mund të arrihej.
E megjithatë objektivi u arrit në masën 90 % në një mal që do një kohë 15 orë vajtje-ardhje, ndërsa dihet që për të arritur majat duhet të marrësh parasysh dhe kokëfortësitë e motit. Ajo që duhet vlerësuar është përkushtimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Alpinizmit, Jani Ziso, apo dhe të shoqatave “High Albania”, Përmeti, Tomori, si dhe grupi i Bjeshkëtarëve të Kosovës, që bënë të mundur të arrinin deri në 2,150 metra në Ostrovicë.
anë shpërndarë dhe certifikatat për alpinistët pjesëmarrës, si dhe për komandantin e grupit, Fisnik Muça, ndërsa një falënderim, sipas Çules, shkon dhe për mikpritjen e Vithkuqit e mjediset e tij. Ngjitja verore do të zhvillohet në Tamarë.